Në kohë normale hapësira digjitale është e mbushur me rreziqe. Po ashtu luftërat zhvillohen edhe në hapësirën digjitale. Enti gjerman i kriminalistikës, BKA, jep një pasqyrë alarmuese të krimit kibernetik.

Edhe vetë Enti Federal i Kriminalistikës, BKA, ka qenë në shënjestër të sulmeve kibernetike. Në fillim të muajit maj, hakerat i lëshuan një mori pyetjesh serverit të disa prej autoriteteve dhe ministrive gjermane. Sulmi DDos (Distributed Denial of Service) kishte si synim të mbingarkonte institucionet gjermane në mënyrë që ato të mos ishin më të arritshme. Sulmin e mori përsipër duke u prononcuar në Telegram, një grup hakerash rusë, që e quan veten “Killnet”.

Ata nuk patën shumë sukses me BKA. Ajo që arritën ishte vetëm zgjatja e kohës së hapjes së faqes së internetit, tha për Deutsche Wellen zëvendëspresidentja e BKA, Martina Link. Në kuadër të pasqyrimit nga BKA të „Gjendjes së krimit kibernetik”, Link tha se sulmi është më shumë një sulm i “nivelit të ulët”.

Por ky sulm DDos jo shumë i dëmshëm, ishte sinjali i fundit që tregon ekzistencën e një zhvillimi të ri dhe të rrezikshëm: Link tregon për solidarizimin e grupeve kibernetike dhe kolektivave të hakerave me Rusinë ose me Ukrainën. Kështu ata bëjnë sulme përkatëse, siç bëri “Killnet”. Gjatë këtyre sulmeve „ekziston rreziku që ato të prekin edhe palët e paanshme, edhe nëse nuk e dëshirojnë një gjë të tillë”, shpjegon zëvendëspresidentja e BKA.

E sigurt është se: Lufta në Ukrainë zhvillohet edhe në hapësirën digjitale – dhe prej andej mbërrin në Gjermaninë digjitale. Prandaj Arne Schönbohm, president i Zyrës Federale gjermane për Sigurinë në Teknikën e Informacionit, (BSI) thotë për Deutsche Wellen se: “Duke pasur parasysh sulmet ruse kundër Ukrainës, BSI vazhdon të shohë rritjen e rrezikut për Gjermaninë”. Schönbohm i bën thirrje sipërmarrjeve, organizatave dhe institucioneve që të kontrollojnë masat e sigurisë në teknologjinë e informacionit, dhe t’i përshtaten gjendjes konkrete të rrezikut. “Që me fillimin e sulmit rus kundër Ukrainës, në Gjermani ka pasur shtim të incidenteve të veçanta në sigurinë e teknologjisë së informacionit, por ato kanë qenë me ndikim të pjesshëm,” thotë shefi i BSI.

Katastrofa e parë kibernetike

Por shumë sulme kibernetike kanë konsekuenca më të mëdha, që ndihen nga çdo qytetar. Një shembull i sjellë nga Martina Link ka të bëjë me rrethin e Anhalt-Bitterfeldit. Në fillim të korrikut të kaluar, hakerat patën sulmuar administratën lokale me të ashtuquajturin Ransomware. Ky software i dëmshëm, kodon të dhëna dhe programe të caktuara. Serveri dhe hardwari duhet të fikeshin. Kështu ndihmat sociale nuk mund të jepeshin më, po ashtu si lejet e qarkullimit për automjetet. Autoritetet lokale thanë, se ishin bërë përpjekje për të bërë presion digjital me anë të një katastrofe kibernetike. Kjo gjë nuk kishte ndodhur ndonjëherë në Gjermani.

Gjatë një sulmi tjetër të ndodhur nëntorin e kaluar, u prek një firmë softweresh, programet e së cilës përdoren nga një e katërta e zyrave të mjekëve në Gjermani. Struktura e serverit dhe e rrjetit u koduan dhe nuk ishin më në gjendje të punonin.

Krimi kibernetik është në lulëzim: BKA sheh rritje të sulmeve me 12 përqind duke regjistruar 150 mijë raste. Ekspertët mendojnë se numri faktik i rasteve është shumë më i madh se sa i rasteve të regjistruara: Kur shoqata digjitale, Bitkom, pyeti vitin e kaluar më shumë se 1000 firma nga të gjitha sektorët, nëntë nga dhjetë firmat pranuan se kanë qenë viktima të sulmeve kibernetike. Dëmet nga vjedhja, spiunimi dhe sabotazhet për ekonominë gjermane vlerësohen të jenë gjithsej 223 miliardë euro. Një shifër, që zonja Link e BKA-së, e përsëriti kur foli për „Gjendjen e krimit kibernetik”. Duke mos harruar të përmendë, se shuma e dëmeve do të dyfishohet brenda dy vitesh.

Corona nxiti edhe krimin kibernetik

Për, siç thotë raporti, „rritjen sinjifikante të numrit të rasteve”, Martina Link jep disa arsye: Me hovin e digjitalizimit, të nxitur nga pandemia e Coronës është arritur të krijohen shumë mundësi të reja veprimi, të cilat edhe vihen në përdorim. Përveç kësaj është zhvilluar edhe më tej ekonomia e ilegalitetit digjital: Raporti mbi gjendjen flet për keqbërës profesionistë dhe të tillë që i ndajnë punët. Flet dhe për ekonomi shërbimi të aftë për të bërë krime, shërbime që ofrohen në pazaret e ilegale dhe që u hyjnë në punë kriminelëve. Ato ofrojnë çdo gjë që të mund të blihet për Bitcoin, që nga rrjetet e të dhënave të kartave të kreditit deri tek programet dëmtuese. Dhe meqenëse keqbërësit e shpërndajnë punën dhe punojnë në vende të ndryshme, policia e ka të vështirë që t’i ndjekë. Kuota e zbulimit është 30 përqind, duke qenë nën mesataren e statistikave policore të kiminalistikës (PKS).

Duke pasur parasysh ndërthurjet ndërkombëtare të keqbërësve, Martina Link kërkon bashkëpunim ndërkufitar. „Kjo gjë është zhvilluar pozitivisht vitet e fundit,” tha ajo për Deutsche Wellen. Dhe tregon për shembullin “Emotet” të vitit të kaluar. Autoritetet policore të disa vendeve, patën shkatërruar në një aksion të përbashkët infrastrukturën e këtij sistemi softweresh dëmtues.
Shkrirje kufijsh

Shqetësimi që ka kriminalistja është se ajo sheh përzierje gjithnjë e më të madhe të kufijve midis hakerave kriminelë dhe hakerave të drejtuar nga shteti. Gjë me të cilën do i ktheheshim sërish pasojave të luftës në Ukrainë. Në fund të muajit shkurt, në Gjermani 3000 impiante që prodhojnë energji nga era, nuk mund të lidheshin për të bërë mbarëvajtjen. Ajo bëhet me internet dhe impiantet lidhen me rrjetin nëpërmjet një operatori satelitor. Ky ishte sulmuar nga hakerat, pikërisht mëngjesin e 24 shkurtit, pra ditën e fillimit të luftës. Mbase sepse të njëjtin operator përdorin edhe autoritetet ukrainase dhe ushtria ukrainase.

Në raportin e fundit vjetor të verës 2021, Zyra për mbrojtjen e kushtetutës, në Gjermani shkruan: „Shërbimet ruse të inteligjencës përdorin në sasi të madhe sulmet kibernetike, që bëhen për interesat gjeopolitike të Rusisë.” Dhe jep një listë grupesh hakerash që mendohet të jenë të shërbimeve sekrete. Mes tyre bën pjesë përshembull “Fancy Bear”, që është aktiv të paktën që nga viti 2004. Por edhe “Snake”, një “sulmues me sjellje shumë klandestine, me përvojë të madhe teknike dhe me objektiva ndërkombëtarë.”

Haya Shulman është profesore për Informatikën në Universitetin Gëte të Frankfurtit dhe shefe sektori në Institutin Fraunhofer. Ajo si eksperte e kibernetikës është e sigurt, se në Gjermani nuk janë regjistruar sulme kibernetike që të kenë lidhje me luftën e Ukrainës, gjë që nuk do të thotë se ato nuk ekzistojnë. Sepse „sulmet e suksesshme kibernetike nuk zbulohen”, thotë Shulman për Deutsche Wellen. Ajo përmend sulmin mbi parlamentin gjerman, Bundestag në vitin 2015. Ose sulmin mbi rrjetin e të dhënave të Federatës, në vitin 2016. Rrjeti i sulmuar, shërbente për komunikimin midis zyrës së kancelarit, ministrive dhe autoriteteve të sigurisë. Pjesa më e madhe e tij është shkëputur tani nga interneti, dhe vlerësohet si i sigurt./DW