Drejtori i FBI James Comey tha se nuk ekzistojnë arsye për të ngritur akuza penale kundër ish-Sekretares së Shtetit, Hillary Clinton lidhur me përdorimin prej saj të një serveri privat gjatë kohës që ishte në këtë detyrë.

Comey tha se hetuesit kanë lexuar të 30 mijë email-et që Clinton i kishte dorëzuar Departamentit të Shtetit në vitin 2014 dhe shtoi se 110 prej tyre përmbanin informacion të klasifikuar.

Drejtori i FBI-së e quajti jashtëzakonisht të pakujdesshëm mënyrën se si Clinton jepte dhe merrte email-e në kohën që ishte Sekretare e Shtetit.

Sipas fjalëve të tij, është e mundur që aktorë me synime armiqësore të kenë patur qasje në llogarinë e saj personale të email-it.

Megjithatë, tha ai, FBI-ja ka arritur në përfundimin se ngritja e akuzave në këtë rast do të ishte e papërshtatshme. “Asnjë prokuror i arsyeshëm nuk do të ngrinte akuza,” tha ai.

Njoftimi vjen tri ditë pasi zëdhënësja e kandidates Clinton konfirmoi se ajo ka pasur një takim “vullnetar” me hetuesit mbi përdorimin e serverit personal të email-it. Seanca e pyetjeve zgjati rreth tre orë e gjysmë në selinë e FBI-së në Uashington.

/tvklan.al