Nëse do të votohej tani Hillary Clinton do të ishte presidentja e ardhshme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Këtë thotë sondazhi i fundit që ka realizuar agjencia e lajmeve “Rueters”, sipas të cilit e nominuara e mundshme e demokratëve udhëheq bindshëm garën ndaj rivalit të saj Donald Tramp, me rreth 11 pikë përqindje.

Sondazhi online i realizuar nga Reuters, u hap të hënën dhe u mbyll ditën e premte. 46% të pjesëmarrësve shprehën mbështetjen e tyre për Clinton, 34.8% për Tramp, ndërsa 19.2% të tjerë nuk shprehën mbështetjen për asnjë kandidat.

Ish-Sekretarja Amerikane kryeson edhe sondazhin e kryer nga “Fox News”, por me një avantazh më të ngushtë 42 me 39 %. Fushata përçarëse që ka zhvilluar Donald Tramp duket se ka mbledhur shumë të pakënaqur.

Dy nga kuajt më të fuqishëm të betejës elektorale të miliarderit amerikan ishin ndalimi i hyrjes së myslimanëve në SHBA dhe ndërtimi i murit në kufirin me Meksikën. Qëndrime këto që kanë nxitur zemërimin e shumë amerikanëve.

Në krahun tjetër Hillary Clinton ka zhvilluar një fushatë konstante. Një ditë më parë ajo mori edhe mbështetjen e presidentit Barak Obama i cili tha se po pret me padurim të bëjë fushatë bashkë me të. Zgjedhjet në SHBA zhvillohen më datë 8 nëntor. /TV KLAN