Ndërkohë që parapraket presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës po shkojnë drejt fundit. Dy kandidatët e mundshëm të partive kanë ngritur tonet dhe kanë ashpërsuar retorikën ndaj njëri-tjetrit.

Kryesuesja e garës brenda Partisë Demokratike, Hilari Klinton, e quajti të nominuarin e mundshëm të republikanëve, Donald Tramp, si “rrezikshmërisht të paqëndrueshëm”.

Klinton tha se miliarderi amerikan nuk ka përgatitjen për tu bërë president dhe se zgjedhja e tij do të ishte një “gabim historik”.

Përgjigja e Trump nuk vonoi. Hilari Klinton duhet të shkojë në burg, tha Tramp përpara elektoratit të tij në Kaliforni, duke iu referuar çështjes së e-mailit të Klinton, e cila kishte përdorur një llogari private gjatë ushtrimit të detyrës si Sekretare e Shtetit.

Në krah të Donald Tramp së fundi ka dalë edhe kreu i Kongresit Amerikan, Paul Ryan, i cili më herët ishte shprehur kundër 70-vjeçarit. Një Shtëpi e Bardhë e drejtuar nga Klinton, do të thotë liberalizim i nepotizmit, tha Ryan, duke nënkuptuar rikthimin në skenën politike të ish-presidentit Bill Klinton.

TV KLAN