Liderët e Shqipërisë kanë përkujtuar 21-vjetorin e çlirimit të Kosovës. Presidenti Ilir Meta përmes një postimi në rrjetet sociale ka kujtuar heronjtë dhe dëshmorët që dhanë jetën për Kosovën. Ai shpreh falenderimet për NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës në çështjen e lirisë së Kosovës.

“Sot, në 21-vjetorin e Çlirimit të Kosovës, kujtojmë me nderim të jashtëzakonshëm jetën dhe veprën lapidare të Presidentit historik Ibrahim Rugova dhe Komandantit legjendar Adem Jashari, djemtë dhe vajzat e UÇK-së, si dhe dhjetëra e mijëra Heronj e Dëshmorë që dhanë jetën për Kosovën Republikë, në paqe, të lirë, të pavarur, sovrane dhe demokratike, me orientim të qartë perëndimor, në bashkëpunim e fqinjësi të mirë me të gjithë në rajon. Përjetë mirënjohës dhe falenderues për NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara, që çështjen e lirisë së Kosovës, e bënë çështje të dinjitetit të tyre”, shkruan Meta.

Edhe kryeministri Edi Rama përmes një postimi në Facebook ka uruar të gjithë popullin e Kosovës në këtë ditë të veçantë.

“21 vjet që ikën shumë shpejt nga një ditë e bekuar që kurrë nuk do të ikë prej kujtesës sonë kombëtare. Kosova e lirë. Lavdi dëshmorëve dhe popullit të Kosovës”, shkruan Rama./tvklan.al