Kreu i ZMK: Konsumatorët po mashtrohen dy herë

Konsumatorët veç bukës po përballen edhe me rritjen e çmimit të qumështit dhe të nënprodukteve të tij.

“Rreth 78% e produkteve ushqimore tek ne importohen. Importuesit janë pak, janë kthyer në pronarët e mëdhenj të Shqipërisë, të konsumatorit shqiptar dhe kjo çon pastaj në rritjen e pakontrolluar të çmimeve. Para 4-5 ditësh është rritur edhe çmimi i qumështit, i kompanive të mëdha siç janë 3-4 liderët e prodhimit të qumështit në Shqipëri. Fatkeqësisht pa asnjë lloj justifikimi, sepse nuk ka mall importi aty që të ketë ndikim të drejtpërdrejtë. Është rritur çmimi i mishit, qumështit, vezës, i nënprodukteve të tyre, i vajit, makaronave, miellit e orizit”, tha kreu i Zyrës për Mbrojtjen e Konsumatorit, Hasan Stafa.

Ndërsa sa i përket bukës sipas tij qytetarët mashtrohen dy herë, edhe në peshë.

“Në furrat e Tiranës, nag 173 furra, vetëm 91 prej tyre kanë përmbushur kriterin 1 kilogramë, e shoqëruar me rritjen e çmimit 15-20 lekë për një bukë. Ndërsa te pjesa tjetër, jo vetëm që nuk është rritur të shkojë pesha aty ku duhet të deklarohet, por shkon minus 150-200 gramë mangët dhe 20 lekë plus. I bie që konsumatori të vidhet dy herë”.

Sipas Stafës rritja e çmimeve të produkteve të shportës sjell vështirësi të mëdha në familjet e varfëra.

“Në vendet e rajonit dhe kryesisht në vendet e zhvilluara siç është Italia, çmimi është rritur 1.4%. Tek ne është rritur 24%. Është një disbalancë, 60% e shqiptarëve nuk i përgjigjen kësaj lloj rritjeje çmimi. Ne nuk kemi një rritje të indeksit të pagave, ndihmës ekonomike, asistencës, papunësisë”.

Kreu i Zyrës së Mbrojtjes së Konsumatorit shprehet se në ditët në vijim do të ketë bisedime me drejtuesit e ri të Ministrisë së Bujqësisë për të gjitha problematikat që kanë konsumatorët.