Temperaturat e larta që prekën Europën, të cilat shkuan deri në 45 gradë, u kanë lënë vendin stuhive. Gjashtë turistë humbën jetën në Greqi, midis tyre dhe dy fëmijë, njërin prej tyre e kishte zënë poshtë çatia e një restoranti. Era e fortë në Halkidhiki mori përpara edhe një makinë, në të cilën ndodhej një çift të moshuarish nga Çekia, që fatkeqësisht ndërruan jetë. Sipas mediave, të paktën 120 persona të tjerë mbetën të plagosur.

Stuhia ka shkulur pemë duke bllokuar rrugët, çka ka sjellë vështirësi në transportimin e të lënduarve në spitale. Erërat e forta kanë lënë pa energji elektrike thuajse të gjithë zonën e Halkidhikisë, e cila në këtë përiudhë është mjaft e frekuentuar nga turistët. Shumë prej tyre kanë publikuar video në rrjetet sociale dhe pamjet tregojnë qartë përmasat e stuhive. Ka pasur edhe nga ata që këtë situatë e kanë përcjellë duke shijuar alkool, siç duket në këtë video. Dëme ka pasur edhe në  Korfuz, si dhe në Rodopi, në kufi me Turqinë.

Edhe Italia është prekur nga reshjet e shumta të shiut dhe era e fortë e cila ka arritur shpejtësinë 150 km në orë. Për pasojë shumë pemë janë shkulur, ndërsa nga videot e publikuara shihen sesi çadra e shezllone, fluturojnë në ajër.

Një 31-vjeçar ka humbur në det, pasi vinçi me të cilin punonte është rrëzuar nga era e fortë, ndërsa 18 persona në Pescara janë lënduar nga breshëri, mes tyre dhe një grua shtatzënë. Pamjet tregojnë se madhësia e breshërit ishte sa një grusht dhe ka shkaktuar lëndime të shumta tek personat që u gjendën në rrugë në ato moment.

Nuk kanë shpëtuar pa u dëmtuar edhe një sërë automjetesh. Disa prej tyre kanë dalë jashtë përdorimit. Në ndihmë të personave që mbetën të bllokuar dolën në terren mbi 800 efektivë të ekipeve të emergjencës.

Klan Plus