Java e 10 e kampionatit në Argjentinë vuri përballë njëra-tjetrës skuadrat e Barracas Central dhe Patronato. Duhet të ishte një ndeshje futbollit, por arbitri i takimit dha disa vendime në favor të skuadrës vendase duke shkaktuar reagimin e furishëm të futbollistëve të ekipit mik. Gjyqtari favorizoi hapur, skuadrën ku luan djali i Presidentit të Federatës Argjentinase.

Futbollistët e Patronato protestuan për dy gola të anuluar, për një penallti në favor të skuadrës vendase dhe një kartoni të kuq në dëm të tyre. Goli i parë ishte anuluar për një offside shumë të dyshimtë nga VAR-i, por fija e kashtës që theu shpinën e devesë ishte goli i anuluar në sekondat e fundit të ndeshjes. VAR-i ndërhyri sërish, duke i e quajtur të pavlefshëm dhe duke akorduar një penallti për Barracas Central për një faull mjaft të dyshimtë në fillim të aksionit.

Lojtarët e Patronatos, dolën jashtë kontrollit. Iu vërsulën arbitrave dhe nuk u ndalën edhe me goditje me shqelma e grushte ndaj mburojave të policisë. Pamjet janë vërtetë të forta. 4 lojtarë dhe trajneri i portierëve u arrestuan dhe kaluan një natë në komisariat për lëndime, sulme dhe rezistencë ndaj autoritetit. Akuzat ndaj tyre mund të ashpërsohen pas hetimeve të prokurorisë.

Tv Klan