Burak Ozçivit është një ndër aktorët më të dashur në Turqi, Lindjen e Mesme e më gjerë. Por interesi i madh i ndjekësve jo gjithmonë sjell gjëra të këndshme.

Këtë javë, aktori 34-vjeçar, i njohur mes të tjerash edhe për rolin e Kemal në serialin “Dashuri e pafund” ishte në një vizitë pune në disa shtete në Lindjen e Mesme. Mes të tjerash, ai ndaloi edhe në Bejrut të Libanit, ku përjetoi momente të vështira në një qendër tregtare.

Një turmë e madhe fansash pamundësoi hyrjen e Ozçivit në qendrën tregtare nga dera kryesore. Rojet e sigurisë arritën ta fusin nëpërmjet një dere dytësore që kalonte nga garazhi, por aktori përjetoi momente të vështira edhe në ambientet e brendshme në Qendrës tregtare, ku u përball me një interes të jashtëzakonshëm të ndjekësve.

Në videon e publikuar në median turke dëgjohen ulërimat e fansave dhe të forcave të sigurisë, ndërsa Ozcivit shfaqet me një buzëqeshje në dukje të sforcuar. Të gjithë duan të kenë një kujtim me aktorin, teksa në gjithë atë rrëmujë shumë pak janë me fat të shkrepin selfie me të.

Për arsye sigurie aktori u vendos në magazinën e një dyqani, ku qëndroi për më shumë se dy orë i “ngujuar”. Ozçivit, i cili sezonin që vjen do të jetë aktori kryesor i serialit “Osmani”, që do të jetë vazhdim i “Ertugrul”, u arrit të nxirrej nga qendra tregtare vetëm pas ndërhyrjes së ushtrisë libaneze.

/tvklan.al