Çmimet e apartamenteve në Tiranë, më të shtrenjta


Çmimet e apartamenteve në Tiranë, më të shtrenjta

18:28 07/09/2021

Agjencitë imobiliare: Ish-Blloku dhe Unaza pësuan rritjen më të madhe

Çmimet e apartamenteve në Tiranë janë shumë më të shtrenjta sesa një dekadë më parë dhe për më tepër, rritja ka vazhduar dhe në tremujorin e parë.

Çmimi mesatar i një metri katror në kryeqytet në fund të 6-mujorit të parë 2021 arriti në 1102 euro/metër katror, sipas agjencive imobiliare, me një rritje prej 70% në krahasim me vitin referencë 2005.

Ndër të tjera ecuria e çmimeve të apartamenteve ndryshon sipas zonave kryesore, brenda unazës së vogël, jashtë unazës së vogël dhe në ish-Bllok.

Në fund të tremujorit të dytë 2021, një apartament brenda unazës kushton mesatarisht 1,173 euro/metër katror, nga rreth 700 euro në vitin 2005.

Tendenca rritëse e çmimeve në zonën brenda Unazës së Vogël vihet re në tremujorin e parë 2021. Në këtë tremujor, çmimi mesatar përllogaritet në 1,173 €/m2, krahasuar me tremujorin e fundit të 2020, ndërsa në këtë gjashtëmujor, çmimet mesatare janë rritur me 4.22%.

Në zonën e ish-Bllokut, çmimi mesatar i shitjes së apartamenteve arriti në 1,580 euro/metër katror në fund të tremujorit të dytë. Në vitin 2005, një apartament në këtë zonë kushtonte rreth 900 euro/m2.

Çmimet në ish-Bllok filluan të rriten me shpejtësi pas vitit 2005, duke arritur në rreth 1300 euro/m2, që në vitin 2010. Pasi ranë në fillim të pandemisë, apartamentet në këtë zonë të preferuar u shtrenjtuan sërish në gjysmën e dytë të vitit të kaluar dhe pjesën e parë të 2021-shit sipas agjencive imobiliare.

Në zonën jashtë unazës së kryeqytetit apartamentet janë të shtrenjta.

Ky shtrenjtim ka filluar më vonë sesa në ish-Bllok dhe brenda Unazës, veçanërisht pas vitit 2019. Mesatarisht një apartament jashtë Unazës kushton rreth 1000 euro/m2, nga rreth 600 euro në vitin 2005.

Dy njësitë më të shtrenjta të kryeqytetit janë njësia 5 dhe ajo 10, ku çmimet mesatare janë më të larta sesa 1200 euro për metër katror.

Ndërsa njësitë më të lira janë ato të 4 dhe 6, ku çmimet luhaten në rreth 800 euro/m2.

Ndërsa në njësinë administrative nr. 1, çmimi mesatar për metër katror ka arritur në 930 euro/m2.

Klan News






Të ngjashme