INSTAT: Zarzavatet kanë rritjen më të madhe të çmimeve prej 13.6%, më pas renditen vajrat, buka, frutat  dhe qumështi

Muaji Shtator ka reflektuar rritje të çmimeve nga një muaj më parë, por më e ndjeshme është rritja në krahasim me Shtatorin e vitit 2020.

Sipas publikimit më të fundit të INSTAT Indeksi i Çmimeve të Konsumit në muajin Shtator 2021 arriti 102,5, duke pësuar rritje me 0,5 % në krahasim me Gushtin.

Ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin Shtator 2021 është 2,5 %, një vit më parë ky ndryshim ishte 1,5 %.

Krahasuar me muajin Shtator 2020, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 4,6 %, pasuar nga grupet “Transporti” me 4,5 %, “Komunikimi” me 3 %, “Argëtim dhe kulturë” me 2,1 % si dhe “Veshje e këpucë” me 1,9 %.

Sipas raportit të INSTAT rritja më e madhe e çmimeve është në nëngrupin zarzavate përfshirë dhe patatet, të cilat u rritën me 13,6 %, pasuar çmimi i vajrave me 6,6 %. Shtatori ka sjellë rritje me 4,7 %, të çmimit të “bukës dhe drithrave” ndërsa çmimet e frutave janë rritur me 4,1 % në krahasim me 2020-ën.

Të dhënat zyrtare tregojnë se të gjitha produktet ushqimore kanë pësuar rritje të çmimeve, edhe pse më të vogël, kategoria e ëmbëlsirave, sheqer, reçel dhe çokollatë janë rritur me 3.3%  ndërsa “qumësht, djathë dhe vezë” janë rritur me me 2,2 %.

Sipas të dhënave të INSTAT, vitit 2021 ka reflektuar rritje të çmimeve jo vetëm të produktet ushqimore proe dhe te shërbimet. Në krahasim me vitin e mëparshëm çmimet e hoteleve, bareve dhe restoranteve janë rritur me 1.7%, po ashtu “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 1,0 %, “Shërbimi arsimor” me 0,8 % dhe “Shëndeti” me 0,6 %.

Sipas ekspertëve ndikimin kryesor në ndryshimin vjetor të indeksit të çmimeve të konsumit e ka dhënë rritja e çmimeve të “Ushqime dhe pije joalkoolike”. Rritja e çmimeve ka sjell pakënaqësi edhe te qytetarët të cilët kanë nisur edhe protestat.

Klan News