15 trofe për artistët e disa zhanreve

Mes notave të humorit dhe një spektakli të vërtetë “Çmimet Kult” shënuan edicionin e 15.

Artistë të të gjitha zhanreve morën trofeun e tyre në ceremoninë e zhvilluar në ambientet e Katedrales Ortodokse.

Në garë ishin 78 të nominuar, për 13 çmime të mëdha si dhe dy çmime speciale në fushën e Albanologjisë.

Një veçanti e këtij edicioni jubilar ishte dhënia e çmimit monodramë/monokomedi, i fituar nga Olta Daku për “Shirli Valentina”.

Që nga tapeti i kuq me të ftuarit special, përformancat e ndryshme dhe mbi të gjitha skenografia që këtë herë vinte ndryshe, sollën një mbrëmje të veçantë.

“Libertango” nga primo-balerinët e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, Adela dhe Anxhelo Muçollari, performanca spektakolare e Orkestrës së Harqeve si dhe dueti i padëgjuar kurrë më parë i tenorit, Denis Skura dhe këngëtares Venera Lumani ishin vetëm disa nga surprizat.

Surpriza e vërtetë ishin ata, triumfuesit e këtij edicioni. Eno Milkani, fitues për dokumentarin e vitit dhe Anxhela Peristeri për këngën e vitit pranuan çmimin, por jo pjesën monetare.

Të ardhurat e tyre do t’u shkojnë të prekurve nga tërmeti duke i dhënë këtij edicioni të 15 të çmimeve Kult akoma më shumë vlerë.

Tv Klan