Çmimet “Marie Kraja” në TOB – (5 Qershor 2000)


Çmimet “Marie Kraja” në TOB – (5 Qershor 2000)

12:20 05/06/2000

Arkiva Lajme – Tv Klan 2000

Mbrëmë ka përfunduar Festivali i 2-të Ndërkombëtar i Vokalit Operistik Marie Kraja, zhvilluar në Teatrin e Operas dhe Baletit. Juria Ndërkombëtare ka vlerësuar me çmim të parë këngëtarin nga Bullgaria La Cezar Lazarov.

Çmimin e madh Marie Kraja me vlerë 5 mijë dollarë këngëtarit bullgar ia ka dorëzuar Ministri i Kulturës Rinisë dhe Sporteve Edi Rama. Ndërsa me çmim të dytë është vlerësuar tenori shqiptar me banim në Austri Adrian Xhema dhe çmim të tretë solisti i TOB Josif Gjipali.

Nata finale e këtij festivali është çelur me duetin koreografik Harmonia, koreografia e të cilit është punuar nga Kozeta Bakiu. Më pas prezantuesja dhe producentja e këtij festivali Zana Çela, ka ftuar të 12 këngëtarët e natës finale, të cilët janë prezantuar vetëm me arien e madhe.

Të gjithë këngëtarët për tre netë me radhë janë shoqëruar nga Orkestra Simfonike e TOB, drejtuar nga tre dirigjentët Fiqiri Kraja, Edmond Doko dhe Oleg Arapi. Ky festival është zhvilluar për herë të parë në nivel ndërkombëtar./tvklan.al




Të ngjashme