Çmimet e ushqimeve në tregje nuk janë trembur as ditën e fundit të vitit. Megjithëse shumica e konsumatorëve, ka kryer tashmë pazarin me produktet ushqimore, për të festuar sa më mirë ndërrimin e viteve, tregtarët nuk kanë ulur aspak çmimet.

Këto pamje janë filmuar ditën e sotme në tregjet e fruta perimeve në kryeqytet, ku sikundërse edhe shihet çmimet kanë qëndruar në nivelet më të larta të këtij muaji. Kontrollet e policisë tatimore në treg nuk kanë munguar edhe në 31 dhjetor, megjithatë prezenca e tyre nuk ka mundur të mbajë në kontroll çmimet.

Tatimorët thjeshtë kërkojnë afishimin e çmimit dhe kontrollin e faturave të mallit, për tregtarët e parregullt janë vendosur gjoba, nuk kanë munguar as rastet e spekulimit me çmimet, por tatimorët kanë garantuar se tregtarëve do t’u vilen të gjitha detyrimet kundrejt çmimeve me të cilat kanë shitur në treg, për të cilat janë mbajtur edhe shënimet përkatëse.

Konsumatorëve nuk ju ngeli gjë tjetër që edhe këtë fundvit të pajtohen në heshtje me çmimet e kripura.

Çmimet janë rritur edhe në qytetet të tjera. Banorët e Peshkopisë kanë gjetur një zgjidhje. Ata udhëtojnë 17 km drejt tregu maqedonas në Dibër të Madhe.

Qytetari 1: “Unë jam nga Maqellara, kaluam doganën nga  Maqellara për në Dibër të Madhe se atje janë çmimet më lirë edhe cilësia më e mirë, si për ushqime, si për çdo gjë.”

 “Artikujt ushqimorë kanë një dukje të çmimeve të ulëta, në Maqedoni, në Dibër pra, arsyeja është që shteti shqiptar ka Tvsh diku me 18% më tepër se sa shteti maqedonas.”/tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguri