INSTAT: Por më e frenuar se sa muaji Qershor

Rritja e çmimeve të konsumit nuk është ndalur as në muajin Korrik, duke shënuar një tjetër rekord të dekadës. Sipas institutit të Statistikave inflacioni gjatë muajit Korrik arriti në 7,5%  nga 7.4% që ishte në muajin Qershor. 

Krahasuar me muajin Janar po të këtij viti inflacioni ka shënuar dyfishim. Edhe në Korrik rritja e çmimeve u ndikua më së shumti nga ushqimet, pijet joalkoolike dhe nga karburantet.

Sipas INSTAT, grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” u rrit me 4,59 përqindje, pasuar nga grupi “Transporti” me 1,14 % si dhe grupi qira, hotele dhe kafene që janë rritur mesatarisht me 0,6%.

Krahasuar me muajin Korrik 2021, kur inflacioni ishte 2,2%, rritja më e madhe e çmimeve sipas INSTAT vërehet në grupin “Transporti” pasuar “Ushqime dhe pije joalkoolike”  si dhe “Hotele, kafene dhe restorante”.

Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “vajra dhe yndyrna” u rritën me 30,6%, pasuar nga nëngrupet “bukë dhe drithëra” me 20,0%, “qumësht, djathë dhe vezë” me 18,2%.

Tv Klan