Edhe pse gjatë vitit 2017-të sektori energjitik shpenzoi 200 milion euro për të blerë energji për shkak të thatësirës, çmimi i energjisë për konsumatorët për vitin e ardhshëm nuk do të ndryshojë. Burime zyrtare të OSHEE-së thanë për Televizionin Klan se nuk do të kërkohet as ulje dhe as rritje e tarifave, por në ERE do të çohen vetëm pasqyrat financiare dhe planet e investimit për vitin e ardhshëm.

Nga ana tjetër, KESH do të aplikojë çmimin që i shet kompanisë së shpërndarjes në bazë të kostove reale. Humbjet e këtij viti, të cilat llogariten që në fund të Dhjetorit të arrijnë në – 88 milion dollarë, korporata do t’i llogaritë në strukturën e çmimit që do t’i shesë energji vitin e ardhshëm OSHEE-së, i cili do të jetë më i lartë se regjimi aktual 1.4 lekë/kilovat orë.

Në total për këtë vit, thatësira bëri që të gjitha paratë e fituara të sektorit nga reforma në këtë sektor, 200 milion euro, të shpenzohen për të importuar energjinë nga jashtë.

Edhe viti i ardhshëm parashikohet që të jetë i thatë dhe të ketë të njëjtin prodhim të energjisë elektrike në kaskadën e Drinit. Këtë vit, KESH do të arrijë të prodhojë 2.8 terravat orë energji, ndërsa për 2018 -ën llogaritet të prodhohet 3.1 terra. Niveli i ujit në liqenin e Fierzës në fillim të janarit parashikohet të arrijë 270 metra, ndërsa rezerva energjitike me të cilën do të nisë punën në 2018-ën është dy herë më e vogël se ajo e këtij viti.

Tv Klan