Rënia e vlerës në botë godet prodhimin dhe eksportet në vend

Rënia e çmimit të naftës në tregjet globale, i cili arriti  të hënën në vlera negative deri në minus 40 dollarë për fuçi, është duke dhënë efekte edhe në industrinë vendase. Ne bote, prodhuesit e mëdhenj paguan deri 40 dollarë për çdo fuçi qe u hoq nga stoku i tyre.

Në Shqipëri, kompanitë kryesore të prodhimit të naftës bruto pothuajse kanë ndërprerë të gjithë linjën e prodhimit, ndërsa prej më shumë se dy javësh nuk kanë patur eksporte.

Edhe tenderi që zhvilloi kompania publike Albpetrol për shitjen e 117 mijë tonëve në fund të marsit dështoi pasi asnjë kompani nuk paraqiti interes për të blerë lëndën. Kjo ishte sasia më e madhe ndër vite që Albpetrol kishte nxjerrë për shitje.

Situata në tregjet globale po ndikon jo vetëm në rënien e të ardhurave të kompanive që prodhojnë dhe eksportojnë naftë në vend, por edhe në rritjen e humbjeve të tyre, për shkak se ndalimi i prodhimit kërkon në të ardhmen investime shtesë për të rikthyer teknologjinë e puseve në gjendje aktive.

Në tregun e pakicës çmimi i një litri karburant ka mbetur pandryshuar nëse krahasohet me një javë më parë, por që prej marsit dhe deri tani çmimet e naftës në këtë treg kanë rënë mesatarisht me 20 lekë.

Të kontaktuar nga televizioni Klan drejtues të shoqatës së Hidrokarbureve thonë se nëse tendenca në tregjet jashtë do të mbetet kështu, në javët e ardhshme mund të ketë një tjetër rënie të çmimit në pikat e karburanteve, deri në 10 lekë për litër.

Aktualisht rënia e djeshme nuk ka reflektuar në treg për shkak të rezervave që kanë kompanitë në vendin tonë dhe ecurisë së dobët të shitjeve që prej marrjes së masave bllokuese të qarkullimit.

Ulja e çmimit të naftës në vlera negative, ku shumë kompani nuk kishin interes për të blerë kontrata të reja për muajin maj, ndërsa shitësit ishin të gatshëm të paguanin për të hequr stoqet e mbetura ishte e hera e parë që ndodhte në histori. Gjatë së martës çmimi I naftës është rikuperuar, duke shkuar në vlera pozitive, në afro 15 dollarë për fuçi, por sërish shumë më ulët se fillimi I këtij viti.

Tv Klan