Muaji Shkurt shënoi fillimin e aplikimit të çmimit të ri të energjisë për abonentët familjarë, i ndarë në dy kategori, 8.5 Lekë për kilovat për ata që konsumojnë deri në 700 kilovatorë dhe 9.5 Lekë për ata që e kalojnë këtë shifër.
Zëvendëskryeministrja, Belinda Balluku teksa inspektoi në terren një pjesë të punës tha se janë marrë të gjitha masat për të llogaritur afatin kalendarik 30 ditë për çdo abonent.
“Ky është muaji i parë që ne do të aplikojmë çmimin, por nga ana tjetër e gjithë procedura është e dizenjuar nga fillimi deri në fund që të jetë transparente. Bazuar në një urdhër të administratorit të përgjithshëm të kompanisë, të OSHEE-së, matja duhet bërë brenda 8 ditëve dhe matja është nga 30 ditë në 30 ditë. Pra nuk do të kalojnë 30 ditëshi, duke e bërë kështu të pakontestueshme mënyrën e matjes dhe saktësinë e saj”, tha Belinda Balluku.
Balluku shtoi se i gjithë procesi i leximit të matësave të energjisë do të jetë transparent falë teknologjisë.
“Nuk do të ketë fare asnjë lloj le të themi arsyeje për të thënë që nuk më ka ardh në filan datë por ka ardhur në një datë tjetër pasi ne verifikojmë me Gjeo-Location se ku ka qenë faturisti dhe kur është bërë matja dhe sigurisht kemi dhe foton që bëhet në kohë reale dhe dërgohet direkt në sistem”, tha Balluku.
Nga ulja e çmimit të energjisë elektrike që ka nisur aplikimin që me 1 Shkurt përfitojnë afro 1 milionë abonentë familjarë në të gjithë vendin.
Klan News