Siguracionet e makinave tashmë do të jenë sipas sistemit Bonus-Malus, ku vlera e pagesës nga drejtuesit e mjeteve do të llogaritet në bazë të numrit të aksidenteve dhe vjetërsisë së shoferit.

Sistemi i ri do të bëjë që të paguhet më pak për drejtuesit e mjeteve që kanë vjetërsi më të madhe dhe numër më të vogël aksidentesh dhe më shumë për shoferët e rinj, apo drejtuesit që kanë të regjistruar numër të madh të aksidenteve rrugore.

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka miratuar në mbledhjen e të mërkurës një udhëzim për të vendosur këtë sistem, i cili i detyron kompanitë e sigurimeve që të krijojnë një regjistër të dhënash historike për çdo drejtues mjeti, e në bazë të këtij sistemi do të llogaritet edhe vlera e primit të detyrueshëm që do të paguhet nga drejtuesit e mjeteve.

Udhëzimi do të hyjë në fuqi vitin e ardhshëm, ndërsa kompanitë do të nisin që përgjatë kësaj periudhe të shënojnë historikun e dëmeve që do të krijojnë drejtuesit.

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare propozoi implementimin e këtij sistemi përmes një projektligji që daton në Maj të vitit të shkuar, i cili ende nuk është propozuar nga Ministria e Financave për t’u shqyrtuar në Kuvend.

Deri në miratimin e ligjit e të ri, në fuqi do të jetë udhëzimi i Bordit të këtij Autoriteti, i cili do të përcaktojë çmimet e siguracioneve sipas modelit ndërkombëtar dhe jo siç bëhet aktualisht, ku çmimi është i njëjtë për të gjithë.

Tv Klan