Çmimi Nobel për austriakun Handke

Çmimi Nobel për austriakun Handke

19:41 10/10/2019

Reagime në Tiranë dhe Prishtinë

Austriaku Peter Handke dhe polakja Olga Tokarçuk janë fituesit e çmimeve Nobel në Letërsi, i pari për këtë vit ndërsa e dyta për vitin 2018, kur dhënia e çmimit u shty për shkak të skandalit seksual ku u përfshi bashkëshorti i Katarina Frostenson, anëtare e jurisë.

Por çmimi i madh për Letërsinë që iu dha Peter Handkes ka vënë në shënjestër të kritikave akademinë suedeze të Nobelit. Ai ka qenë ndër mbështetësit më të mëdhenj të ish-Jugosllavisë dhe ka mbështetur me zjarr serbët në luftërat ballkanike të viteve ’90. Në vitin 2006 ka marrë pjesë në varrimin e Sllobodan Millosheviçin, të cilin e simpatizonte pavarësisht se akuzohej për genocid. Bombardimet e NATO-s kundër Beogradit i ka quajtur krime lufte.

Ndër reagimet e para ka qenë ai i Ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, Gent Cakaj, i cili e quajti Nobelin në Letërsi për Handken, “një akt të turpshëm”. Ndërsa Ministrja për Marrëdhëniet me parlamentin, Elisa Spiropali shkruan se Nobeli iu dha glorifikuesit të Millosheviçit, kasapit të Ballkanit dhe atij që kreu masakra ndaj shqiptarëve në Kosovë. 

Akademia e Shkencave në Kosovë, në një letër drejtuar akademisë suedeze të Nobelit shpreh zhgënjimin që çmimi iu dha një shkrimtari që u rendit në anën e gabuar të historisë, duke mbështetur regjimin gjakatar të Millosheviçit.

Presidenti dhe qeveria e Austrisë e përshëndetën vendimin. Por e përditshmja Die Presse i kujton publikut se 5 vite më parë, vetë Handke kishte bërë thirrje për shkrirjen e çmimit Nobel për letërsinë, që sipas tij bënte shenjtërime rreme të veprave letrare.

Tv Klan

LAJMET
Të ngjashme
KPT
KPT
UKT