Policia nis verifikimet në të gjithë vendin

Pas Shkodrës, Policia e Shtetit e ka shtrirë operacionin për verifikimin e kamerave të sigurisë që dyshohet se përdoren nga grupet kriminale në të gjitha qarqet e vendit.

Vlora ka qenë qyteti i radhës, ku policia ka finalizuar fazën e tretë të operacionit “Fijet” duke çmontuar 16 kamera që kontrolloheshin nga kontingjenti kriminal, me qëllim informimin.

Kamerat ishin vendosur në zona me frekuentim të lartë, si në lagjen “Uji i Ftohtë”, “1 Maji”, “24 Maji”, “Lirim” dhe “Hajro Çakërri”.

Policia bën të ditur se kamerat ishin vendosur pa leje të autoriteteve përkatëse dhe dyshohet se ishin të lidhura me aparate celulare të shtetasve të ndryshëm.

Aksioni i ndërmarrë vjen një ditë pasi në qytetin e Shkodrës, u çmontuan 38 kamera që dyshohet se ishin instaluar nga grupet kriminale në rrugët e lagjeve të njohura si Kiras, Xhabije dhe “Kongresi i Përmetit”.

Për gjetjen e personave që i kishin vendosur ato në këto zona, në polici janë shoqëruar disa persona por dëshmitë e tyre nuk kanë ndihmuar hetuesit. 

Identifikimi i personave që kanë vendosur duket i vështirë, pasi komandimi i tyre bëhej përmes celularit.

Nëpërmjet kamerave, grupet kriminale monitoronin lëvizjet e kundërshtarëve të tyre, por dhe të policisë në rrugët kryesore të qytetit dhe pranë zonave të tyre ku veprojnë.

Tv Klan