Nisin hetimet për 8 persona

Jo vetëm në Shkodër e Vlorë, por grupet kriminale i kanë monitoruar lëvizjet e policisë edhe në qytete të tjera. Policia zbuloi 79 kamera sigurie të vendosura në rrugë e sheshe publike edhe në Durrës e Korçë.

47 prej tyre janë hequr në Durrës, Shijak e Krujë, për të cilat policia ka vënë në hetim personat që dyshohet se u përkasin këto pajisje ilegale.

Kështu për 11 kamerat e çmontuara në Durrës, janë vënë në hetim, Dejvid Karaboja dhe Plarent Dervishi, aktualisht i shpallur në kërkim për atentatin e ish-prokurorit Arjan Ndoja.

Për 18 kamerat e sekuestruara në lagjet e “Keçëve”, “Popullore”, “Kodër Sukth” dhe “Partizani” të Shijakut në hetim është vënë Albert Muharremit, vëllai i Landi Muharremit të njohur si Rrumi i Shijakut.

Personat e tjerë të vënë në hetim janë anëtarët të grupit të Avdylajve, Saimir Gjepalit dhe Xhulio Vorës. Ndërkohë për kamerat e çmontuara në Nikël të Krujës vijon puna për identifikimin e personave që i kanë instaluar.

Aksioni i zhvilluar në këto qytete vjen në kuadër të operacionit të koduar ‘Fijet’ që nisi në Shkodër, për të vijuar në Vlorë ku në total u çmontuan 75 kamera, 59 nga të cilat në qytetin verior.

Tv Klan