Mediat greke kanë pasqyruar gjerësisht ceremoninë e varrimit të Kostandin Kaçifas në Bularat. Me dhjetëra shtetas grekë kanë mbërritur mëngjesin e të enjtes në jug të Shqipërisë për të marrë pjesë në varrim. CNN grek në reportazhin e tij vë theksin tek situata e qetë.

Janë me dhjetëra shtetasit grekë që kanë mbërritur mëngjesin e të enjtes në Bularat për të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të minoritarit Kostandin Kaçifas, i cili mbeti i vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit me forcat special shqiptare. CNN grek ka bërë një reportazh në jug të vendit tonë, ndërsa shtetas grekë kanë treguar për një situatë të qetë.

Situata është e qetë. Kemi ardhur deri këtu me autobus për të marrë pjesë në varrimin e një personi që për ne është hero, pasi ai u vra duke mbrojtur të drejtat e minoritetit grek. Ai duhej arrestuar dhe jo vrarë sipas meje. Policia shqiptare deri tani është sjellë shumë korrekte dhe nuk ka provokuar asnjë incident.”

Një tjetër shtetas grek gjithashtu pretendon se policia shqiptare nuk ka bërë aq sa duhet për të neutralizuar Kaçifas pa e vrarë:

“Mbërrita me një nga autobusët e parë nga Athina. Rruga ishte e qetë, vetëm një person që ndodhej në autobus me ne nuk u lejua të hynte pasi kishte një bluzë apo tatuazh me shqiponjë. Në pasaportën e tij u vendos një vulë që ia ndalon hyrjen në Shqipëri për 24 orë. Në rastin e Kaçifas mendoj se policia shqiptare nuk ka bërë aq sa duhej për ta neutralizuar atë pa e vrarë”.

Dhe gazetari i CNN grek, raportoi për një situatë të qetë dhe pjesëmarrje të shumtë të shtetasve të ardhur nga Greqia, në ceremoninë e varrimit./abcnews