Media prestigjioze amerikane CNN e rendit Shqipërinë si një ndër 12 destinacionet turistike të kësaj vere.

CNN ka publikuar një foto nga qyteti historik i Krujës, teksa e cilëson Shqipërinë si një perlë të Mesdheut, ndërsa e rendit mes  vendeve si Spanja, Austria, Tailanda, Peruja, Malta apo Italia.

“Shqipëria është një perlë mesdhetare që ka të ngjarë të jetë më pak e mbushur me njerëz këtë verë sesa Greqia dhe Kroacia. Ka një vijë bregdetare të mrekullueshme me plazhe të paprekura; Butrinti, një sit i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s që dikur ishte një koloni greke dhe qytet romak, i braktisur më vonë gjatë Mesjetës; plus mundësi për shëtitje, ecje dhe eksplorim të jashtëzakonshëm”, shkruan CNN.

Sipas CNN , ky sezon veror do të jetë një sukes i madh udhëtimesh në mbarë botën. Globalisht, udhëtimet ndërkombëtare ishin në 80% të niveleve të para-pandemisë në tremujorin e parë të 2023, dhe një verë e fortë pritet në hemisferën veriore, sipas Organizatës Botërore të Turizmit të OKB-së.

Kjo do të thotë se planifikimi i një pushimi veror këtë vit mund të përbëjë një sfidë për udhëtarët, pasi fluturimet drejt shumë destinacioneve po mbushen dhe disa linja ajrore po paguajnë bileta rekord.

Po ashtu, sipas CNN, edhe  hotelet dhe pronat me qira janë rezervuar në vendet e njohura. Ndaj këshillon se nëse ende po mendoni të bëni një pushim veror, veproni shpejt dhe merrni parasysh idetë e listuara të 12 destinacioneve për të shijuar pushimet.

Klan News