“Jam i turpëruar që kam marrë pjesë në fshehjen e veprat e jashtëligjshme të Trump-it në vend që të dëgjoja ndërgjegjien time”.

Këto ishin ndër fjalët e para të dëshmisë që dha para Komisionit të Mbikëqyrjes dhe Reformës në Dhomën e Ulët të Kongresit Amerikan Michael Cohen, ish-avokati i Donald Trump.

Racist, batakçi e mashtrues ishin fjalët me të cilat ai e përshkroi ish-shefin e tij të dikurshëm. Cohen hodhi dyshime të forta për bashkëpunimin e Trump me rusët.

“Zoti Trump kishte dijeni, madje drejtoi negociatat mes stafit të tij dhe Moskës gjatë fushatës elektorale dhe gënjeu për këtë. Gënjeu sepse nuk e priste kurrë që do të fitonte dhe kishte për qëllim të bënte qindra miliona dollarë në tregun e pasurive të paluajtshme në Moskë”.

Cohen pohoi edhe marrëdhënien e Trump me aktoren pornografike.

“Ai më kërkoi të paguaja një aktore të filmave për të rritur, me të cilën ka pasur një marrëdhënie. Më kërkoi që të gënjeja përpara bashkëshortes së tij”.

Cohen bëri edhe një paralajmërim të rëndë, kur tha se nëse Trump humb zgjedhjet në 2020-n në Shtetet e Bashkuara nuk mund të ketë një transferim të butë pushteti. Nga samiti i Hanoit, Trump e konsideroi dëshminë e Cohenit, si një dëgjesë të rreme.

Tv Klan