Pas barazimit 1-1 në ndeshjen e parë, Milani dhe Interi do të përballen në sfidën e kthimit, e vlefshme për gjysmëfinalen e Kupës së Italisë.
Në prag të kësaj përballje, trajneri i kuqezinjve, Sergio Conceicao nuk i kurseu vlerësimet për kundërshtarin.
Sipas tij, klubet e mëdha bëjnë si Interi, duke luftuar në të gjitha garat. Ndër të tjera, ai tha se qëllimi i Milanit është vetëm fitorja dhe kualifikimi për në finale, për ta mbyllur sezonin me trofe.
“Klubet e mëdha përpiqen t’i shkojnë deri në fund të gjitha garave. Urime Interit për rrugëtimin në Ligën e Kampioneve dhe kampionat. Ne duam të fitojmë në këtë përballje, për të arritur në finale. Qëllimi është të fitojmë një tjetër trofe për këtë sezon. Duhet të luajmë një ndeshje të shkëlqyer dhe të jemi shumë konkurrues.
Është hera e pestë që përballemi me Interin për këtë sezon. Duam të luajmë në një nivel të lartë, në të kundërt do të jetë e vështirë.
Interi luan në të gjitha garat, por janë mësuar me këtë. Rikuperimi i lojtarëve është i shpejtë dhe mendoj se pas humbjes me Bolognan nuk do të jenë të lodhur. Ata kanë një skuadër të madhe dhe me cilësi. Në fushë pres Milanin më të mirë. Do të jetë një Milan shumë konkurrues dhe me besim të madh. Kemi motivimin dhe ambicien për të fituar”, deklaroi Conceicao.
Ndeshja Inter-Milan do të luhet mbrëmjen e së Mërkurës, duke nisur nga ora 21:00. /tvklan.al