Kryeministri i Italisë Giuseppe Conte ka njoftuar të tjera masa shtrënguese për shkak të situatës tejet të rënduar nga koronavirusi në vendin fqinj. Në një deklaratë për mediat vonë në mbrëmjen e së shtunës, Conte njoftoi se do të mbyllen të gjitha aktivitetet prodhuese që nuk janë pjesë e zinxhirit strategjik të ekonomisë.

“Do të lejojmë vetëm aktivitetet prodhuese që konsiderohen të rëndësishme për prodhimin kombëtar”, u shpreh ai, duke theksuar se “masat janë të rënda, jam i vetëdijshëm për këtë, por nuk kemi asnjë alternativë tjetër. Duhet të rezistojmë sepse vetëm në këtë mënyrë mund të mbrohemi”.

Kryeministri Conte deklaroi se kjo është kriza më e vështirë me të cilën po përballet Italia që pas Luftës së Dytë Botërore.

“Do të ngadalësojmë motorin e prodhimit të vendit, por nuk do ta ndalojmë. Nuk është një vendim i lehtë, por është e nevojshme në mënyrë që të kemi mundësi të kontrollojmë përhapjen e epidemisë”, tha Conte duke sqaruar se do të vijojnë të qëndrojnë hapur farmacitë, dyqanet ushqimore dhe do të ofrohen të gjitha shërbimet bankare, financiare, të postës, dhe ato të sigurimeve.

Gjatë 24 orëve të fundit, Italia regjistroi numrin më të madh të viktimave, 793 të vdekur në një ditë për shkak të koronavirusit. Numri total i personave që kanë humbur jetën nga sëmundja në Itali është 4825, duke ja kaluar edhe Kinës, që është vendi i origjinës së virusit. /tvklan.al