Ish-ndërmjetësi evropian në dialogun Kosovë -Serbi, Robert Cooper ka thënë se Serbia nuk do të ketë sukses nëse nuk ka një politikë të qartë për Kosovën dhe se nuk do të arrijë asgjë nëse nuk e njeh Kosovën.

“Mendoj se do të ishte mirë që Beogradi të ketë një politikë për Kosovën, në fund të fundit, është fqinji juaj. Në fund, nuk do të keni sukses nëse nuk e njihni atë, si dhe kur do ta bëni atë është problemi juaj, por një gjë e tillë duhet të bëhet në një  moment dhe kjo kërkon një udhëheqje të fortë”

, tha ai për televizionin serb N1.

Sipas ish-ndërmjetësit të BE-së në dialogun e Brukselit, shkëmbimi i territorit midis Serbisë dhe Kosovës nuk është domosdoshmërisht një ide e keqe, por duhet të zhvillohet me shumë kujdes.

Cooper tha se gjëra të tilla janë shumë të vështira për udhëheqësit politikë dhe se në situata të tillë duhet të jepet kohë atyre.

Ai tha se fakti që udhëheqësi i Serbisë dhe ai Kosovës po flasin seriozisht për këtë çështje është inkurajuese.

Cooper po merr pjesë në Forumin e Sigurisë në Beograd i teti me radhë ku pjesëmarrës është edhe presidenti austriak, Alexander Van der Bellen./ KlanKosova.