Premton referendum të dytë për BREXIT

Katastrofa që rrezikon Britaninë e Madhe në rast daljeje pa marrëveshje nga Bashkimi Europian mund t’a çojë vendin në zgjedhje të parakohshme. Këtë qëllim e ka kreu i opozitës Corbyn, i cili gjatë një konference për shtyp akuzoi konservatorët se dështuan në realizimin e një Brexit-i të rregullt, siç paralajmërohej edhe në planin konfidencial të qeverisë.

“Ne do të paraqesim mocion mosbesimi kundër qeverisë. Nëse do të kemi sukses, do të përpiqemi të krijojmë një qeveri tranzitore me mbështetje të gjerë në parlament për të shmangur daljen pa marrëveshje dhe për t’a çuar vendin në zgjedhje të reja, në mënyrë që populli të vendosë për të ardhmen e vendit.”

Corbyn shkoi edhe më tej kur tha se nëse laburistët fitojnë zgjedhjet, do të zhvillojnë një referendum të dytë për Brexit-in. Ai akuzoi kryeministrin aktual Boris Johnson se po luan në interes të presidentit amerikan Donald Trump, duke nxitur daljen pa marrëveshje të Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian.

Plani i Corbynit për rrëzimin e qeverisë së Boris Johnsonit përmes një mocioni mosbesimi në shtator mund të rezultojë i suksesshëm. Tek konservatorët ka nisur një valë e re përçarjesh, pasi deri më tani 40 deputetë i janë bashkuar fraksionit që kërkon qëndrimin në BE.

Tv Klan