Presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa, në një konferencë për shtyp me kryeministrin Edi Rama tha se zgjerimi me Ballkanin Perëndimor është investimi më i madh gjeopolitik i BE-së.

“Për BE-në zgjerimi me vendet e Ballkanit Perëndimor është investimi më i madh gjeopolitik që po bëjmë për momentin dhe ky është momenti i duhur. Ne e kemi në dorë tashmë për ta rritur këtë proces sa më shpejt të jetë e mundur”, u shpreh Costa.

Ai theksoi se Shqipëria “është mishërimi i procesit të zgjerimit të BE-së duke qenë në rrugën e duhur drejt anëtarësimit në BE”.

“Rezultati i zgjedhjeve këtë javë konfirmoi edhe njëherë dëshirën e qytetarëve shqiptarë për t’u integruar në Bashkimin Europian dhe i dashur Edi më lejoni t’ju përgëzoj edhe njëherë. Anëtarësimi në BE është objektivi ynë i përbashkët dhe këtu nuk bëhet fjalë “në qoftë se” apo “se si”, por këtu bëhet fjalë për “kur””, tha Costa.

Tashmë sipas tij, dy çështje kryesore kanë të bëjnë me negociatat. Bëhet fjalë për mbajtjen e ritmit dhe intensifikimin e punës, “në veçanti sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit”.

“Edi ky është momenti siç ka qenë në ’92 për të marrë hapin tjetër të rëndësishëm dhe fatmirësisht ju keni këmbë të forta dhe të gjata për të marrë hapa të fortë dhe të mëdhenj përpara”, tha Costa./tvklan.al