Gana, vendi i parë. Merr 600 mijë doza nga AstraZeneca

Kjo ngarkesë me vaksina është dërgesa e parë që bëhet nga nisma COVAX. Struktura e krijuar nga Organizatës Botërore të Shëndetësisë që synon të mos lerë pas dore vendet e varfëra në procesin e furnizimit me vaksina e çoi në Gana ngarkesën e parë me 600 mijë doza të prodhuara nga AstraZeneca.

Për drejtuesit e OBSH-së, ky është një moment suksesi teksa janë shtuar spekullimet se COVAX, ku bën pjesë edhe Shqipëria, mund të dështojë për mungesë donacionesh të mjaftueshme nga vendet e pasura.

Në Janar, kjo nsimë njoftoi se brenda muajve të parë të këtij viti do të nisë shpërndarjen e 1.8 miliardë dozave. Synimi është të mbulohet fillimisht vaksinimi i 27% të popullsisë së këtyre vendeve që nuk kanë kapacitete financiare për blerjen e vaksinave. AstraZeneca është ndër kompanitë e para që ka nënshkruar marrëveshje me COVAX-in.

Sakaq, zyrtarët e saj hodhën poshtë spekullimet e mediave se kjo firmë do të mund të dërgonte vetëm gjysmën e ngarkesës prej 90 milionë doza për vendet europiane në tremujorin e dytë. Sipas deklaratës së AstraZenecas, nuk do të ketë asnjë vonesë në dërgimin e plotë të 180 milionë dozave për BE-në dhe gjithçka do të përmbushet sipas kontratës.

Tv Klan