Fillimisht Shqipëria do të marrë 141 mijë 600 doza

Në Shqipëri, mekanizmi COVAX parashikon të sjellë dy lloje vaksinash, si ato të prodhuara nga kompania Pfizer/BioNTech, ashtu edhe nga AstraZeneca.  Në planin paraprak të shpërndarjes së vaksinave thuhet se furnizimi i parë pritet të jetë prej 141 mijë e 600 dozash nga kompania Astra Zeneca.

Në tabelën e detajuar për furnizimin e shteteve, COVAX njofton se furnizimi i parë për Shqipërinë është planifikuar të mbërrije para përfundimit të marsit ndërsa një pjesë tjetër më e madhe do të mbërrijë në tremujorin e dytë të vitit, pra deri në Qershor. Shqipëria ka paguar gjithsej 3.99 milionë Dollarë si formë parapagimi për vaksinën kundër Covid19, për të vaksinuar 570 mijë persona ose rreth 20% të popullsisë.

Aleanca COVAX u krijua nga Organizata Botërore e Shëndetësisë për një shpërndarje sa më të drejtë të dozave të vaksinës. Në të marrin pjesë 180 shtete. Deri më tani, në vendin tonë kanë mbërritur rreth 2 mijë vaksina, ndërsa vendet e Bashkimit Evropian kanë nisur vaksinimin masiv të popullsisë që në fund të Dhjetorit. Skema COVAX ofron dy lloje kontratash për vendet: marrëveshje paraprake për blerjen e vaksinës dhe marrëveshje opsionale për blerjen e saj.

Tv Klan