Publikohet plani i raundit të tretë të shpërndarjes së vaksinave

Shqipëria pret të marrë edhe 23400 doza vaksinash Pfizer/BioNTech gjatë periudhës Prill-Qershor nëpërmjet programit COVAX të OBSH-së. Kjo sasi i përket raundit të tretë të shpërndarjes, ndërsa gjatë të dytit, në periudhën Shkurt-Maj 2021, Shqipëria përfiton 120 mijë doza të vaksinës AstraZeneca.

Tashmë plani i shpërndarjes për raundin e tretë është publikuar dhe veç Shqipërisë, në rajon do të përfitojnë edhe Kosova e Maqedonia Veriore, dy vendet me ritme shumë të ngadalta vaksinimi.

Deri në fund të Qershorit, Kosova do të përfitojë nga programi COVAX, 100.620 vaksina ‘Pfizer’. Në listën e publikuar njoftohet se në rundin e dytë të shpërndarjes, Kosova do të sigurojë nga COVAX 100.800 vaksina ‘AstraZeneca’. Duke marrë parasysh 24.000 dozat që mori fillimisht, Kosova pret edhe 76.800 vaksina ‘AstraZeneca’ deri në fund të muajit të ardhshëm.

Në raundin e tretë, Maqedonia e Veriut, e cila po përballet më një situatë të vështirë nga pandemia, do të përfitojë thuajse të njëjtën sasi sa Kosova, 100,620 vaksina.

Ndonëse i themeluar për të ndihmuar vendet e varfra të sigurojnë vaksina për 20 për qind të popullsisë, COVAX është përballur me vështirësi për të siguruar doza të mjaftueshme, pasi shumica ndodhen në duart e vendeve të pasura. Disa herë OBSH-ja ka paralajmëruar se kjo situatë mund të kërcënojë luftën kundër pandemisë. Problem tjetër i programit është skepticizmi për vaksinën e ‘AstraZeneca’, shtylla kryesore e portofolit të COVAX-it.

COVAX ka shpërndarë gati 38.4 milionë doza vaksinash në 102 vende të botës në gjashtë kontinente, ndërsa synon të shpërndajë brenda vitit mbi dy miliardë doza.

Klan News