“Qeveria të lërë propagandën, të marrë masa”

Në prag të një katastrofe shëndetësore. Kështu e cilësoi kryedemokrati Lulzim Basha situatën e pandemisë, gjatë një takimi me ekspertë të shëndetësisë.

Në akuzën e tij për mungesë të kushteve më minimale në spitale, ai bën përgjegjes qeverinë, e cila sipas Bashës ka dështuar totalisht në menaxhimin e situatës së pandemisë.

“Në dy spitalet Covid, situata paraqitet pranë katastrofës. Është e pafalshme që 6 muaj pas pandemisë, nuk dihen se çfarë mësimesh janë nxjerrë nga përballja me Covid deri tani. Se deri tani ka qenë dështim total. Pandemia ka marrë dimensione të frikshme, dhe jemi pranë një katastrofe të vërtetë, qoftë sociale, qoftë ekonomike”.

Kryedemokrati akuzoi po ashtu se mjekët janë lënë të punojnë në kushte skandaloze dhe janë të keqpaguar. Gjithashtu ai ngriti shqetësimin edhe për situatën në shkolla, ku mungon testimi i mësuesve.

“Jemi në limite kohore për vaksinat e stinës që nuk janë bërë, por në vendet europiane janë bërë. Mësuesit në Kosovë janë testuar, janë testuar në mënyrë të rregullt. Por këtu në vendin tonë, as nuk e vranë mendjen fare as Kryeministri, as Ministria e Shëndetësisë”.

Ndaj, për t’i paraprirë katastrofës, kreu i demokratëve i kërkoi qeverisë të marrë masat dhe të heqë dorë nga propaganda.

Po ashtu Basha njoftoi se brenda javës do të dalin me një tjetër propozim konkret drejtuar qeverisë për menaxhimin e situatës së Covid – 19.

Tv Klan