Vdekjet ulen me 65%,ndërsa rastet e të infektuarve aktivë zbresin në nivelin e Tetorit të vitit të shkuar

Pandemia e koronavirusit në këto 14 muaj ka patur një luhatje të madhe të të infektuarve por edhe të viktimave ditore.

Në 10 muajt e parë të  pandemisë sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë u regjistruan 1,181 viktima nga COVID-19, dhe 58,316 infektime.

Ndërsa nga Janari dhe 12 ditët e para të Majit janë shënuar 1242 viktima në spitalet Covid dhe 73,529 infektime në mbarë vendin.

Kurba e infektimeve ditore nisi të rritej që mesit të Nëntorit të  vitit që lamë pas ,por piku i pandemisë në vendin tonë u arrit në muajin Shkurt dhe Mars. Madje për ekspertët e shëndetit publik këta muaj janë konsideruar dhe vala e dytë e pandemisë në vendin tonë.

Në periudhën Janar-Mars vdekjet nga COVID-19 kanë shënuar rekorde duke arritur edhe në 21 vdekje në  24 orë. Në total në këto tre muaj autoritetet shëndetësore kanë raportuar 1054 fatalitete, në Janar u regjistruan 199 humbje jete,në Shkurt 416 ndërsa Marsi ka shënuar numrin më të lartë të viktimave me 439. 

Gjatë muajit Prill numri i të infektuarve dhe vdekjeve është ulur ndjeshëm. Muaj Prill u mbyll me 155 humbje jetë në spitalet Covid  duke pësuar një rënie me 65% në krahasim me Marsin, ndërsa gati dy javët e para të muajit Maj kanë shënuar deri më tani 27 viktima. Infektimet ditore kanë rënë në më pak se 50 raste në 24 orë. Nërsa numri i të infektuarve aktiv në mbarë vendin ka rënë në nivelin e muajit tetor të 2020, aktualisht janë rreth 9 mijë persona të vetëizoluar që po trajtohen në banesë. Ekspertët e shëndetit publik kanë sqaruar se situata e COVID-19 do vijë duke u përmirësuar në vendin tonë dhe se nuk pritet të ketë një valë të tretë infektimesh.

Klan News