Rritje më e ngadaltë e të prekurve me virusin

Shqipëria është në javën e katërt të pandemisë së koronavirusit. Që prej identifikimit të rastit të parë të infektuar me Covid-19 në 9 Mars, shifrat e të prekurve kanë ardhur në rritje.

Dy javë më parë, Ministria e Shëndetësisë raportoi se në total, në vendin tonë ishin 70 raste me koronavirus, shifër e cila gati u trefishua një javë më vonë, duke e çuar numrin e të infektuarve në 186 dhe në javën pasardhëse rritja vazhdoi me 50%, duke e çuar numri e të prekurve që është aktualisht në 277.

Në rritje kanë ardhur fatalitetet e regjistruara tek personat e prekur nga koronavirusi.

Dy javë më parë në Shqipëri u shënuan dy viktimat e para, ndërsa sot numërojmë 16. Vetëm gjatë një jave, shifra e personave që kanë ndërruar jetë është dyfishuar.

Sipas burimeve zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë, personat që kanë humbur jetën janë të moshës nga 43 deri në 82 vjeç, që të gjithë kane patur sëmundje bashkëshoqëruese, përjashtuar një 43-vjeçar nga Kavaja, i cili nuk merrte trajtim me medikamente, por ishte obez.

Javën e fundit koronavirusi ka infektuar edhe moshën pediatrike. Aktualisht 8 fëmijë rezultojnë pozitivë për Covid-19, por asnjëri nuk është i shtruar në spital pasi nuk kanë shenja të sëmundjes.

Në Shërbimin Infektiv, apo siç etiketohet tashmë spitali Covid-1, i cili ka 120 shtretër, numri i pacientëve ka ardhur në rritje, paralel me përhapjen e virusit në popullatë.

Aktualisht aty janë 81 pacientë, 8 prej të cilëve në terapi intensive dhe 4 të intubuar. Nëse i krahasojmë këto të dhëna me shifrat e 2 javëve më parë, shihet se numri i pacientëve të shtruar ka qenë 35 dhe vetëm 3 në terapi intensive, e asnjë në intubim.

Ekspertët parashikojnë që dy javët në vijim të ketë një rritje të qëndrueshme të rasteve të të prekurve nga koronavirus, por kjo vetëm nëse do të vijohet të zbatohen rregullat e distancimit social dhe të vetëkarantimit.

Tv Klan