Manastirliu: Po përgatitemi për valën e 4 të Covid

Shtatori do të jetë muaj i hapur për vaksinimin masiv për personat mbi 18 vjeç. Ky vendim i autoriteteteve shëndetësore ka ardhur pas rritjes së numrit të infektimeve me Covid.

“Shtatori do të jetë një muaj vendimtar për të rritur mbulesën vaksinale, ndaj kemi vendosur që sërish të jetë një muaj i hapur për vaksinimet e çdo qytetari mbi 18 vjeç. Le t’i shfrytëzojmë këto ditë për të mbrojtur jetën dhe shëndetin, duke u vaksinuar sa më parë, për të garantuar mbarëvajtjen e vitit të ri shkollor që po afron, të aktiviteteve të biznesit dhe jetës sonë të përditshme”.

Dy javët e fundit, të dhënat epidemiologjike nga ISHP tregojnë një rritje me 5 herë të rasteve të infektimeve krahasuar me periudhën e mëparshme. Kjo rritje është shoqëruar me shtim të numrit të të shtruarve në spital, mes tyre edhe të vaksinuar, por që nuk u rrezikohet jeta.

“Në Spitalin Infektiv ka në gjendje më të rëndë dhe po trajtohen në terapi intensive. E përbashkëta e shumicës së pacientëve që këto ditë Gushti, që po vuajnë dhe format më të rënda të sëmundjes, është se nuk janë të vaksinuar. Mjekët që shërbejnë me përkushtim në Spitalin Infektiv raportojnë se përgjatë kësaj periudhe ka patur edhe disa raste të të shtruarve të cilët kanë qenë të vaksinuar, por shprehen optimistë për gjendjen shëndetësore të pjesës dërrmuese të pacientëve që janë vaksinuar dhe e kanë përgatitur organizmin, për përballjen me virusin”.

E teksa Shqipëria po i afrohet valës së 4 të Covid, Manastirliu tha se po merren masa për Vjeshtë-Dimrin duke shtuar stafet në shërbim të testimit dhe vaksinimit, si edhe të trajtimit të pacientëve që do të kenë nevojë për kujdes mjekësor.

Autoritetet thonë se edhe në Institutin e Shëndetit Publik po rriten kapacitetet e testimit me aparatura të reja laboratorike, po ashtu po shtohen edhe 20 autoambulanca.

Prej fillimit të vaksinimit në vend janë kryer mbi 1 milionë e 380 mijë vaksinime. Prej tyre afro 600 mijë qytetarë janë imunizuar me të dyja dozat e vaksinës.

Tv Klan