Rikthehen kufizimet në disa shtete europiane

Rumania ka regjistruar shkallën më të lartë në botë sa i përket viktimave nga COVID-19, në raport  me popullsinë e saj. Autoritetet thonë se numri i lartë i vdekjeve është i lidhur me një shkallë të ulët vaksinimi prej më pak se 11%.

Spitalet në të gjithë vendin janë të mbingarkuara dhe nuk ka më shtretër në dispozicion. Në të gjithë Evropën, lufta kundër virusit po zhvillohet në mënyra të ndryshme.

Në Letoni dhe Sllovaki, autoritetet po rikthejnë kufizimet kundër Covid. Letonia ka mbyllur shkollat, restorantet dhe vendet argëtuese për një muaj për shkak të rritjes së infeksioneve.

Në Mbretërinë e Bashkuar, e cila ka përjetuar një nga fushatat më të suksesshme të vaksinimit në botë, po shihet gjithnjë e më e nevojshme një raund tjetër vaksinimi.

Me rastet e reja që rriten me gati 50,000 në ditë, veçanërisht në mesin e fëmijëve të pavaksinuar në grupmoshën midis 12 dhe 15 vjeç, zgjidhja e  vetme mbetet një dozë e tretë e vaksinës për të moshuarit dhe personat me sistem të dobët imunitar.

Ndërkohë, jo vetëm që po ofrohen dozat e treta në Portugali, por në këtë shtet ka nisur një program i dyfishtë vaksinimi kundër gripit dhe gjithashtu edhe kundër COVID-19.

Autoritetet shëndetësore planifikojnë të vaksinojnë rreth dy milionë njerëz me të dyja dozat deri në fund të Nëntorit.

Klan News