Veç maskave në ambiente të brendshme, hiqen të gjitha kufizimet

Izraelitëve u ka mbetur tashmë vetëm mbajtja e maskës në ambientet e brendshme për t’u kujtuar Covid-19. Veç këtij rregulli që mund të hiqet brenda kësaj jave, nga kjo e Martë hiqen të gjitha kufizimet e tjera. Për hyrjen në bare, restorante, biznese, spitale e institucione publike nuk nevojitet më as certifikata e vaksinimit.

Me ndihmën edhe të vaksinave që e kanë injektuar rreth 60% e popullsisë, infektimet ditore janë të papërfillshme. Nga java e kaluar, infektimet nuk kanë qenë asnjëherë më të larta se 20 raste ditore. Autoritetet thonë se nuk ka më epidemi të Covid-19 dhe infektimet do të trajtohen si raste të zakonshme.

Nga kjo e martë edhe turqit do të jenë më të lirë. Shtetrrethimi u reduktohet me një orë në darkë dhe do të nisë pas orës 22:00 deri në 05:00 të mëngjesit. Lirisht do të frekuentohen kafenetë, restorantet, sallat sportive e parqet. Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan vendosi lehtësimin e masave të ashpra që janë në fuqi prej Prillit, kur infektimet arritën shifra tepër të lartë, në mbi 60 mijë raste ditore.

Lehtësimi i masave erdhi pas reduktimit të ndjeshëm të infektimeve që kanë arritur në rreth 6 mijë. Mbi 20% e popullsisë kanë marrë të paktën dozën e parë të vaksinës. Sakaq, Komisioni Europian miratoi për injektim vaksinat Pfizer për moshat 12-16 vjeç.

Tv Klan