Reja detyrohet të ndryshojë listën

Trajneri i kombëtares Edoardo Reja është i detyruar të bëjë ndryshime në listën e lojtarëve të grumbulluar për ndeshjet e Nëntorit. Italiani ende nuk e ka të sigurtë nëse të gjithë lojtarët e thirrur do të vijnë në skuadër.

Situata e krijuar nga pandemia në mbarë Europën e ka bërë të paqartë programin e tij. Shtete të ndryshme, kanë rregulla të ndryshme, nga ana tjetër, edhe klubet pritet të sjellin pengesa për t’i paraprirë infektimit të mundshëm të futbollistëve.

Marash Kumbulla i Romës nuk do të vijë në grumbullim, pasi zyra shëndetësore lokale e kryeqytetit italian ka urdhëruar që të gjithë futbollistët e klubit verdhekuq të futen në izolim, duke qenë se pak ditë më parë Edin Dzeko rezultoi pozitiv.

Mbrojtësit 20-vjeçar do të mungojë dhe nuk është e qartë se kush do ta mbushë boshllëkun e lënë prej tij si nga cilësia e lojës, ashtu edhe si pozicionimi fizik. Nuk do të jenë në dispozicion të kombëtares as Kastriot Dermaku e Enea Mihaj, të cilët janë të dëmtuar. Teknikut i mbetet të shpresojë tek gjendja e mirë fizike e Gjimshitit dhe Ismajlit.

E paqartë është edhe situata e Klaus Gjasulës. Vetë futbollisti ka thënë që do të jetë me Kombëtaren, ndërsa mediat e Hamburgut, raportojnë se trajneri i skuadrës ka thënë se vendimi nuk është marrë ende.

Zyrtarët e federatës vazhdojnë të jenë në kontakt me disa skuadra për të kuptuar se cilët lojtarë do të jenë në dispozicion të trajnerit për miqësoren me Kosovën si dhe ndeshjet e Ligës së Kombeve kundër Kazakistanit dhe Bjellorusisë.

Tv Klan