Presidenti i Ilir Meta ka shprehur publikisht shqetësimin e tij sa i takon situatës aktuale në vendin tonë lidhur me pandeminë e Covid 19.

Kreu i shtetit, në një shënim të lënë në Facebook ka theksuar rëndësinë e ndërgjegjësimit të qytetarëve për respektimin e udhëzimeve të bëra publike, për ruajtjen e distancave fizike dhe mbajtjes së maskave.

”Shtimi i rasteve të qytetarëve të prekur nga pandemia COVID-19, veçanërisht numrit të viktimave, shtron si domosdoshmëri jetike rritjen e masave mbrojtëse, frymës së bashkëpunimit dhe mbështetjes së sektorit të shëndetësisë me buxhetin e duhur, veçanërisht me afrimin e pikut të sezonit turistik”, shprehet ai.

Presidenti vlerëson si tepër të nevojshëm bashkëpunimin e ngushtë me të gjitha vendet fqinje për marrjen e masave për parandalimin dhe përhapjen e mëtejshme të pandemisë, me qëllim rihapjen sa më parë të kufijve tokësorë.

“Përballimi me sukses i COVID-19 duhet të jetë një objektiv madhor për të gjithë! Çdo neglizhencë në këtë prioritet ka kosto shumë të rëndë: jetën e qytetarëve tanë”. /tvklan.al