Një studim i ri i përbashkët anglez dhe francez thotë se pandemia e Covid-19 mund të ketë nisur që në muajin Tetor 2019.

Studimi është kryer nga ‘University College London’ dhe ‘University of Reunion Island’. Pandemia e koronavirusit besohet që të ketë qarkulluar midis datave 6 Tetor dhe 11 Dhjetor, shkruan britanikja ‘The Telegraph’.

Këto rezultate që bazohen në analizën e më shumë se 7000 gjeneve, do të publikohen në një botim në revistën shkencore ‘Infection Genetics and Evolution’.

Nga informacionet e mbledhura rezulton se një nga pacientët e parë që rezultoi pozitiv me infeksionin e Covid-19, ishte një 55-vjeçar nga provinca Hubei në Wuhan të Kinës dhe u zbulua më 17 Nëntor. Ndërsa pacienti zero nuk është konfirmuar akoma.

Teoria që virusi ka qarkulluar më herët nga sa mendohet erdhi pasi një atlete që garoi në Wuhan në muajin Tetor u sëmur dhe mjekët thanë se kishte të ngjarë të ishte prekur nga Covid-19.

Atletja Elodie Clouvel tha se në garën që u zhvillua në Wuhan morën pjesë sportistë nga e gjithë bota. Ky kompeticion u zhvillua në Wuhan në datat 18-27 Tetor dhe pjesëmarrës ishin 9308 atletë nga 109 vende të botës.

Disa sportistë të tjerë të ekipit francez, që kanë folur në kushte anonimati për mediat franceze, kanë konfirmuar se edhe ata ishin sëmurë.

“Të gjithë u sëmurëm me të njëjtat simptoma”, ka thënë atletja Clouvel. /tvklan.al