Covid-19 mund të qarkullojë si virus sezonal



Covid-19 mund të qarkullojë si virus sezonal

15:40 13/07/2020

Studimi: Vaksinat nuk krijojnë mbrojtje afatgjatë

Koronavirusi mund të qarkullojë si virus sezonal ashtu si gripi. Në këtë përfundim arrijnë shkencëtarët e universitetit King’s College London, të cilët në një studim të publikuar nga e përditshmja britanike “The Guardian” thonë se imuniteti i krijuar ndaj Covid-19 nga të infektuarit që janë shëruar, mund të bjerë brenda të paktën 3 muajve.

Ky zbulim hedh poshtë mundësinë që imunizimi i tufës të jetë një mënyrë për të mposhtur koronavirusin. Mbi këtë bazë, edhe vaksina nuk mund të garantojë mbrojtje afatgjatë ndaj Covid-19 dhe duhet përmirësuar vazhdimisht me kalimin e kohës.

Për të arritur në këtë përfundim, shkencëtarët britanikë mbajtën nën mbikëqyrje reagimin e sistemit imunitar tek 90 pacientë dhe mjekë në spitalet e Britanisë së Madhe. Ata konstatuan se niveli i antitrupave të prodhuara nga sistemi imunitar i pacientëve kulmoi 3 javë pas shfaqjes së simptomave të para.

Më pas, ky nivel pësoi rënie të ndjeshme, duke i lënë ata sërish të ekspozuar ndaj rrezikut të infektimeve të tjera. Studimi konstatoi se niveli i antitrupave ra të paktën pas tre muajsh tek rreth 60% e pacientëve. Vetëm në 17% të rasteve imuniteti kishte të njëjtin nivel për të penguar një tjetër infektim.

Tv Klan




Të ngjashme