Pas Kuvendit, edhe qeveria e prekur nga koronavirusi

Pas Kryeministrit Avdullah Hoti edhe zëvendësi  i tij Driton Selmanaj ka rezultuar pozitiv në Covid-19. Zv/kryeministri Selmanaj thotë se është asimptomatik ndërsa do të vazhdojë t’i kryejë punët e qeverisë nga shtëpia për dy javët e ardhshme.

Por nuk janë vetëm Kryeministri dhe Zv/Kryeministri të prekur me Covid-19.

Shumë politikanë në Kosovë janë prekur nga ky virus duke nisur nga kreu i LDK-së Isa Mustafa, i cili pas trajtimit tre javësh në shtëpi është shëruar dhe ka rezultuar negativ.

Nga kjo parti politike me Covid ishin edhe disa deputetë të Kuvendit të Kosovës përfshirë shefin e Grupit Parlamentar Arben Gashi, deputetin Haxhi Avdyli, ish-ministrin Lumir Abdigjiku dhe Lutfi Zharkun.

Pozitiv në Covid-19 ditë më parë ka rezultuar edhe kreu i PDK-së, Kadri Veseli, i cili është duke u trajtuar në shtëpi, pastaj deputetja Eliza Hoxha, e cila për disa ditë kishte qëndruar në spital dhe ish-ministri Arsim Bajrami.

Nga radhët e AAK-së Covid-in e kanë kaluar Albena Reshitaj e Rasim Selmanaj.

Që nga fillimi i pandemisë e deri më tani në Kosovë nga Covid-19 janë prekur 9 274 persona ndërsa 3815 raste janë aktive. Për fat të keq 269 persona nuk i mbijetuan këtij virusi, 13 prej tyre vetëm në 24 orët e fundit.

Për të ndihmuar Kosovën në luftën kundër pandemisë Bashkimi Evropian ka dhuruar 30 respiratorë, ventilatorë dhe pajisje të tjera që kapin vlerën e 900 mijë eurove.

Aktualisht në klinikat e QKUK-së dhe spitalet rajonale janë duke u trajtuar 627 pacientë, prej tyre 50 janë në gjendje të rëndë shëndetësore.

Tv Klan