Tomini: Ende nuk e kemi arritur pikun

Shqipëria ende nuk e ka arritur pikun e valës së dytë të koronavirusit. Ekspertet e Institutit të Shëndetit Publik parashikojnë se javët në vijim do të na sjellin përkeqësim të situatës me më shumë raste të infektuarish në 24 orë.

“Aktualisht situata e pandemisë në vend po përvijon me një intensitet të lartë të rasteve të konfirmuara, pra kemi një trend të rritur të rasteve Covid në vend. Kjo ishte ndër projeksionet e Institutit të Shëndetit Publik përsa i përket edhe stinës së Dimrit dhe qarkullimit edhe të infeksioneve të tjera respiratore paralelisht me Covid. Por duhet të theksojmë se jemi ende herët për të diskutuar në drejtim të pikut, sepse edhe në javët në vijim do të kemi një tendencë në rritje të rasteve Covid-19”.

Ekspertët vlerësojnë se zgjidhja e vetme për ndalimin e kësaj epidemie mbetet vaksina.

“Deri në momentin kur ajo të aplikohet, varësia e 2 dozave me intervalin kohor midis njëra-tjetrën, përkon me një periudhë gati 2-mujore nga momenti i aplikimit për shfaqen e antikorpeve. Do jetë një ndër masat më të rëndësishme dhe vendimtare për ngadalësimin dhe ndalimin e pandemisë. Do të kemi një imunitet të popullatës që do të jetë një imunitet i induktuar nga vaksina. Do të kemi grupe të riskut të mbrojtura përkundrejt Covid-19, sepse sipas prioritizimeve, tek këto grupe do të aplikohet fillimisht. Nëse do të aplikojmë vaksinën e Covid-19, sigurisht që do të kemi më pak komplikacione nëse do të prekemi nga Covidi. Benefitet e vaksinës janë të jashtëzakonshme, në bashkësi dhe më masat e tjera ndërhyrëse, sigurisht që do jenë shumë efektive kundrejt pandemisë”.

Por ndërsa shkojmë drejt pikut dhe vaksina mungon, ekspertët e shëndetit publik apelojnë të respektohen masat parandaluese që janë maska, distanca dhe higjena personale.

Tv Klan