Epidemiologu Alimehmeti: Infektimi i fëmijëve, shifrat u rritën nga testimet

Coronavirusi po përhapet më shumë, por niveli i agresivitetit mbetet i njëjtë. Epidemiologu Ilir Alimehmeti sqaron se kjo situatë vjen edhe për shkak të hyrjes së mutacioneve të reja të virusit

 “Covid nuk është bërë më agresiv, varianti britanik që është edhe te ne është më i transmetueshëm por nga ana klinike, studimi britanik thotë se ka të njejtën kohëzgjatje të simptomave, ka të njejtat simptoma të raportuara, ka të njejtën rëndesë të simptomave dhe të njejtën shkallë mundësie për riinfektim.”

Në dy muajt e fundit është vërejtur shtim i infektimeve të të rinjve e veçanërisht të fëmijëve. Por epidemiologu thotë se shtimi i numrit të të prekurve vjen për shkak të rritjes së testimeve te kjo kategori.

“Të kemi parasysh se po përhapet edhe testimi në moshat pediatrike. Në 6-7 muajt e parë të pandemisë, testet shkonin te moshat e vjetra, që kishin rrisk më të lartë, më pak te moshat e reja. Sot vetëm 6% e të infektuarve total prej nesh janë nën moshën 20 vjeç”.

Sipas specialistit me rihapjen e shkollave të hënën, shtohet edhe rritja e përhapjes së virusit, ndaj duhet më shumë vëmendje.

“ Pse të mos testojmë në mënyrë sistematike, shkollat në zonat problematike të gjithë mësuesit, të gjithë fëmijët që kanë shenja. Mos të ndalemi të vetdeklarimi i prindit që në fakt nuk ka ndonjë vlerë të madhe.”

Që të ndërpritet përhapja e virusit ekspertët u bëjnë thirrje kryesisht të rinjve që të shmangin grumbullimet, pasi përcjellin infeksionet tek më të moshuarit.

Klan News