Zgjerimi nuk do të jetë pjesë e axhendës

Pandemia e koronavirusit e ka bërë të pamundur zhvillimin në Zagreb të Samitit BE-Ballkani Perëndimor, por në datën e caktuar, të mërkurën e 6 Majit, kjo mbledhje do të mundësohet përmes një video konference. Covid-19 do të bëhet shkak jo vetëm për ndryshimin e vendndodhjes, por dhe prioritetet e këtij samiti, i cilësuar si shumë i rëndësishëm për të ardhmen europiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Pikërisht zgjerimi nuk do të jetë në axhendën e diskutimit të konferencës online që do të drejtohet nga  kreu i Këshillit Europian dhe presidentja e Komisionit, von der Leyen.

Vëmendjen kryesore do ta marri pikërisht kriza e shkaktuar nga pandemia dhe përballimi i saj.

Pjesë e këtij formati online do të jenë dhe përfaqësuesit e Bankës Evropiane të Investimeve, Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Bankës Botërore dhe Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal.

Në axhendë thuhet se Samiti do të diskutojë mbështetjen dhe bashkëpunimin midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në luftën kundër koronavirusit dhe pasojave të tij socio-ekonomike.

BE menjëherë pas shpalljes se pandemisë hartoi një paketë financiare prej 3,3 miliardë €, si mbështetje për partnerët e saj, por dhe vende e Ballkanit Perëndimor, si dhe një paketë prej 750 milion € të Ndihmës Makro-Financiare dhe 1.7 miliardë € paketë ndihme nga Banka Evropiane e Investimeve.

Por në samit do të diskutohet dhe mundësia e një tjetër bashkëpunimi për fazën e rikuperimit, përmes një përkrahje afatgjatë të BE-së, në formën e një plani investimesh për Ballkanin Perëndimor.

Në samit do të inkurajohet dhe ecuria e reformave, pasi dalja nga kriza e pandemisë kërkon sipas BE reforma ekonomike, por dhe përqendrim më të fortë në sundimin e ligjit, funksionimin e institucioneve demokratike dhe administratës publike.

Tv Klan