Autoritetet apelojnë për ruajtjen e qetësisë

Serbia ka konfirmuar edhe 3 raste të koronavirus në kryeqytet. Ministria e Shëndetësisë ka thënë se bëhet fjalë për një shtetas kinez dhe dy serbë, që kanë qenë në kontakt me një të infektuar që tani ndodhet jashtë vendit. Të tre pacientët janë në karantinë, në klinikën infektive të Beogradit dhe nuk janë në gjendje kritike.

Kjo ka shtyrë qeverinë serbe të mbajë një mbledhje për masa shtesë. Në këtë takim u vendos për masa urgjente për të ndaluar udhëtimin për në Serbi të qytetarëve nga pesë vende, pjesë të Kinës, Koresë Jugore, Iranit dhe një pjese të Zvicrës. Shteti është në gatishmëri, por ende nuk ka vend për panik.

“Për masat tjera do të konsultohemi nga ora në orë dhe në bazë të udhëzimeve të Organizatës Botërore dhe ekspertëve tanë që janë të shkëlqyer. Do të marrim masa të reja nëse është e nevojshme”.

Masa janë marrë tashmë në vende të ndryshme, e deri tek kamerat ultravizive që masin temperaturën e pasagjerëve. Të dyshuar janë testuar 108 persona, por që nuk kanë rezultuar të infektuar. Serbia ende nuk ka vendosur të ndalojë tubimet masive pasi sugjerimet e ekspertëve ende nuk janë të tilla.

“Ne respektojmë të gjitha masat dhe politika nuk duhet të vendosë se çfarë duhet bërë, por njerëzit që janë përgatitur tërë jetën për të dhënë mendime”.

Autoritetet, deri më tani kanë ndaluar ekskursionet e nxënësve jashtë vendit, por bëhet apel për qetësi dhe deri më tani çdo gjë tjetër funksionon. Por, shumë qytetarë shkruajnë nëpër rrjetet sociale nëse masat e marra janë të mjaftueshme, pasi qëndrimi i zyrtarëve u duket jo shumë brengosës.

Tv Klan