Studimi i Oksford: Pasojat, goditjet në tru, depresion e deri parkinson

Personat që e kanë kaluar infektimin me koronavirus rrezikohen veç të tjerash edhe nga problemet në tru, që arrijnë deri në goditje dhe hemorragji.

Në këtë përfundim arrin një studim i kryer nga shkencëtarët e Universitetit të Oksfordit, të cilët thonë se pacientëve me koronavirus mund t’u zgjasin për të paktën 6 muaj problemet psikologjike dhe neurologjike.

Nga përpunimi i të dhënave të miliona personave që e kanë kaluar COVID-19 në Britaninë e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara është konstatuar rritje e mundësisë për të zhvilluar 14 lloje problemesh që lidhen me trurin dhe sistemin nervor, ku përfshihet edhe Parkinsoni, demenca, psikoza apo çrregullimet e papritura të humorit e ankthit.

Lidhjet e drejtpërdrejta të COVID-it me këto çrregullime janë ende të paqarta, por shkencëtarët thonë se pacientët që e kalojnë koronavirusin kanë mundësi 16% më të mëdha se ata që kalojnë infeksione të tjera në rrugët e frymëmarrjes dhe 44% më shumë se ata që kalojnë gripin për të patur këto çrregullime.

 Tv Klan