Shoqata Hidrokarbure: Kemi rënie drastike të shitjeve

“Çmimi i karburanteve në të gjithë vendin është ulur mesatarisht me 10 lekë për litër gjatë javës së fundit.”

Të gjitha pikat e karburanteve në kryeqytet kanë ulur çmimin e naftës dhe të benzinës duke e çuar përkatësisht në 164 lekë e 165 lekë për litër. Ka dhe nga ato pika ku një litër naftë shitet me 162 lekë, ndërsa në zonat jashtë kryeqytetit çmimi ka shkuar në 155 lekë/litër.

Rënia me 7% në e çmimeve në vendin tonë është diktuar nga tregjet ndërkombëtare, për shkak të uljes së kërkesës për këtë lëndë. Në bursën e Londrës një fuçi u shit sot me 24 dollarë, dukë shënuar çmimin më të ulët të 10 viteve të fundit.

Luigj Aliaj, kreu i Shoqatës Hidrokarbure në vendin tonë thotë në një intervistë telefonike me Televizionin Klan se kërkesa në tregjet globale ka rënë ndjeshëm për shkak të bllokimit të transportit si pasojë e masave të marra nga përhapja e koronavirusit të ri.

“Rënia është e gjitha reflektim i çmimit në bursat ndërkombëtare, ka patur një ulje drastike të kërkesës. Në tregun tonë ka reflektuar në këtë çmim, pas 70% të çmimit e zënë taksat.”

Kompanitë janë duke analizuar situatën, e cila nëse do të zgjatë do të krijojë vështirësi financiare për to.

“Kompanitë e karburanteve kanë edhe një dëm nga zhvlerësimi me 65% i rezervave të sigurisë për shkak të rënies së çmimit në bursa. Mungesa e shitjeve po ashtu krijon probleme në pagesën e punëtorëve, taksave dhe kredive. Por në një perspektivë të afërt nuk e mendojmë se do të ketë katastrofë.”

Sipas të dhënave të Shoqatës, në tregun e brendshëm shitjet e karburanteve janë tkurrur me 70% në ditë normale dhe 90% në ditë kur nuk lejohet lëvizja.

Tv Klan